Sabri Bejleri me “Nëpër rrugët e jetës sime”

“Nëpër rrugët e jetës sime”. Ky ishte libri i trajnerit të atletikës shqiptare dhe asaj të Tiranës, Sabri Bejleri, që ka rrëfyer të gjithë karrierën e tij jo pak, por gati 64-vjeçare. Promovimi i librit, që ka mbledhur shumë figura të atletikës shqiptare, është bërë në një nga hotelet e kryeqytetit, ndërsa Bejleri për mikrofonin e Radio Televizionit Shqiptar ka treguar se si ka lindur ideja për ta shkruar këtë libër.

“Gjatë kohës së Covid-19 unë u binda përfundimisht se nuk kisha më kohë, sepse asnjëherë nuk kam patur kohë, që t’i futesha dhe ta bëja historikun “Nëpër rrugët e jetës sime”. Dhe kryesisht këto rrugë kanë qenë të lidhura me atletikën”, thotë Sabri Bejleri.

Por cilat janë emrat e sportistëve që personifikojnë karrierën e Sabri Bejlerit. E jo vetëm të atij, por dhe të bashkëshortes, Liljana.

“Zana Alimani, Yllka Bylyku, Nazmie Kalo, Dituri Suli që nuk jeton. Vazhdon më pas me brezin tjetër me Adriana Vejkollarin, Gerta Ditën, Alkita Toskën që e kam këtu. Më pas me Klodiana Shalën e Laura Derhemin, apo dhe Donika Smaçin”, tregoni autori i librit.

Përtej atletikës, edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Shahut. E Bejleri e ka një kapitull të veçantë drejtimin e institucionit më të lartë trë katrorëve bardhezi. “Jo më kot isha sekretari i përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Shahut, sepse unë kam luajtur shah me shahistët e parë, të cilët sot nuk jetojnë më”, pohon Bejleri. A do të ketë vazhdimësi ky libër? Bejleri, edhe pse 81 vjeç, nuk kërkon të ndalet. “Dhe kjo do të vazhdojë. Dhe libri nuk do të ketë ditë fundi, por vetëm ditë fillimi”, ka përfunduar Sabri Bejleri.