Riçardo del “gjallë” nga çmenduria kineze e Formula 1

Nëse ka sport më të paparashueshëm se të gjithë, besohet se ky është ai i Formula 1. Gara më e shpejtë e botës sot për sot e tregoi fytyrën e saj tërësisht kapriçoze në Çmimin e Madh të Kinës, ku gjithçka u bë “çorap”, ku fitoi krejt papritur Daniel Riçardo, dhe ku gara për titull u hap sërish “katër kanatësh”.

Sa larg u duk e diela nga e shtuna kur Ferrari dominoi provat zyrtare, duke zënë dy vendet e para në nisje. Epërsia kishte qenë e gomave, diçka që edhe mund të ndreqej nga skuadrat e tjera, por më së shumti kjo u bë nga Red Bulli.

Skuadra austriake ka në radhët e saj “të mirin” dhe “të keqin”, pra Riçardon dhe Verstapenin. i pari i bëri siç duhet parakalimet e tij duke lënë pas Raikonenin, Hamiltonin, Fetelin dhe Botasin duke arritur fitoren. “I keqi” Vestapen nuk u kënaq me aksidentin që i bëri Hamiltonit më herët, por e përsëriti ndaj Fetelit, duke i humbur pozicione të rëndësishme.

Në përfundim, Riçardo doli i pari, Botas i dyti dhe Raikonen i treti, ndërsa Ljuis Hamilton u duk i kënaqur të paktën me vendin e katërt, që i lejoi të afrohej ndjeshëm me Fetelin. Gjermani i Ferrarit vazhdon të kryesojë Botërorin me 54 pikë ndaj 45 të anglezit të Mercedesit, e më pas janë Botas (40) e Riçardo (37).

Sfidanti.al