“Rebelimi” i të vegjëlve në Euroligë, bien CSKA e Fenerbahçe

Dy pretendentet kryesore për të fituar titullin këtë sezon, pësuan humbje në shtëpi nga skuadra të cilësuara poshtë nivelit të tyre. CSKA u mposht në Moskë nga Baskonia e Spanjës, ndërsa Fenerbahçe e pësoi nga Zhalgirisi i Kaunasit brenda në Stamboll, në një paralajmërim që asgjë nuk është e sigurt për në katërshen finale.

CSKA-ja luajti pak më herët dhe u mund me plot 10 pikë diferencë, ndërsa ylli kryesor Nando De Kolo luajti pak (17 minuta) dhe shënoi tepër pak, 6 pikë. Nuk mjaftuan amerikanët Higins e Klajbërn, si dhe spanjolli Rodriges. Për Baskonian, më të mirët ishin amerikani Hiliard, danezi Shilds, francezi Puarie dhe italiani Garino. Pra, si kudo në Europë, një ndeshje mes “legjionarëve” dhe jo lojtarëve vendas.

Fenerbahçe e nisi shumë mirë ndaj lituanezëve, me epërsinë 13-6, por pastaj vuajti shumë. Zhalgiris kaloi në avantazh për thuajse gjatë gjithë ndeshjes, duke arritur në +17 në katër raste. Pjesa e tretë u mbyll 73-58 për miqtë, por skuadra turke e trajnerit Obradoviç reagoi në të katërtën dhe thuajse fitoi. Datome, Slukas, Veseli e Guduriç ishin më të mirët për vendasit. Në fund, kur rezultati ishte 80-80, Edgaras Uljanovas shënoi koshin vendimtar. Uljanovas ishte më i miri në fushë me 20 pikë e 7 topa në tabela. Zhalgirisi është ndër të paktët ekipe në Euroligë që ka mjaft lojtarë lituanezë, plot 6 nga 12.

Sfidanti.al