Kthehet të bëjë zhurmë dhe të krijojë sërish debate të ashpra ideja e Komitetit Olimpik Ndërkombëtar për të kthyer në kompeticionet ndërkombëtarë atletët rusë dhe bjellorusë të përjashtuar pas nisjes së luftës të Ukrainë. Pas mbledhjes së fundit, Komiteti Ekzekutiv i olimpizmit ndërkombëtar ftoi federatat që në turnetë që do të zhvillojnë të marrin parasysh edhe riintegrimin e atletëve rusë dhe bjellorusë që mund të garojnë me flamuj neutralë. Gjithsesi, nuk u vendos asgjë në lidhje me Lojrat Olimpike “Paris 2024”. Por edhe kaq ka mjaftuar për të ndezur debate të zjarrta që kalojnë kufijtë e sportit dhe ngjiten deri në majat më të larta të politikës dhe diplomacisë ndërkombëtare.
Qeveria ukrainase ka këmbëngulur edhe një herë që asnjë atlet rus dhe bjellorus të mos pranohet në garat sportive. Nga ana tjetër, Kremilini e ka cilësuar këtë si një vendim të papranueshëm. Më i ashpër ishte reeagimi i Ministres së Brendshëme të Gjermanisë, Nancy Faeser, e cila shprehet se ky vendim “është një shuplakë për atletët dhe popullin e Ukrainës”. Komiteti Olimpik Ndërkombëtar mori sërish kohë sa i përket pranimit të atletëve rusë dhe bjellorusë në Lojrat Olimpike të Parisit, pasi ndodhet nën presionin e madh sportiv dhe politik, pasi 35 vende, përfshirë edhe ato më të rëndësishme si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britanisë së Madhe, Gjermanisë apo vetë organizatorët francezë kanë kërcënuar se do të bojkotojnë turneun më të rëndësishëm të sportit botëror.
Sfidanti.al