Peshëngritje, Teuta akuzon Elez Gjozën: Zhduku shtangat

Komuniteti i peshëngritjes në Shqipëri vijon të dhurojë përplasje dhe sërish është Klubi Shumësportësh Teuta që sulmon hapur federatën, teksa vijon të konsiderojë të jashtëligjshme atë. Mollë sherri së fundmi është bërë prezenca në një garë ndërkombëtare, e Enkileda Carjes, në një memorial që u mbajt disa ditë më parë në Bullgari. Gazeta mëson se Carja ka udhëtuar në këtë kompeticion pa vënë në dijeni FSHP-në, vendim që nuk është pritur aspak mirë nga federata. Duke marrë shkas në rasti në fjalë, gazeta mëson se FSHP u ka dërguar një ‘e-mail’ shoqatave, duke i paralajmëruar ato që nëse marrin pjesën në aktivitet ndërkombëtare pa lejen e federatës do të merren masa deri në përjashtim. Ndërkohë Klubi Teuta ka denoncuar një tjetër skandal që sipas tyre po ndodh në FSHP dhe që ka të bëjë me zhdukjen e bazës materiale. Kreshnik Leka, drejtori i Klubit Shumësportësh Teuta, i përjashtuar rreth një vit më parë nga FSHP, Leka vijon të theksojë se FSHP është e jashtëligjshme, duke e shuar edhe më shumë dozën e akuza të tij të radhës kundër FSHP-së: “Komunitetit jonë i peshëngritjes ka disa vite që për shkak të pa aftësisë dhe parregullsisë së veprimeve të kundërligjshme të vetëquajturit president të federatës Elez Gjozës, po zhytet çdo ditë në një situatë të vështirë, ku po zotëron parregullsia dhe kjo po reflektohet si në rezultate dhe në rënien e masivitetit. Ne nuk duhet të lejojmë të nëpërkëmbemi nga njerëz të cilët këtë detyrë nuk e kanë pasion, por e përdorin për qëllimet e tyre, të cilat po e dëmtojnë komunitetin tonë”, shprehet fillimisht Leka teksa më tej vijon: “FSHP ka 4 vite që drejtohet në mënyrë të parregullt dhe jo ligjore nga një person, i cili vetëquhet president. Që në fillim të mandatit që ka marrë dhe ne vazhdim, ai ka vijuar me parregullsi dhe paligjshmëri, gjë që e ka konstatuar dhe vete gjykata, e cila ka dhënë dhe vendimin përkatës së bashku me arsyetimin. Si rezulton nga dokumentacioni vendimet e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes që nga data 17 qershor 2021 janë në kundërshtim me nenin 17 të ligjit 82/2021 ‘Për regjistrimin e Organizatave Jo-fitimprurëse’ që përcakton: ‘Çdo organizatë jofitimprurëse që kryen regjistrimin fillestar mbart edhe detyrimin të regjistrojë çdo ndryshim në të dhënat e njoftuara dhe në dokumentet shoqëruese që depozitohen në regjistrin elektronik…’. Në kundërshtim me ligjin dhe me vendimet e gjykatave, i vetëquajturi president i FSHP-së vazhdon dhe organizon zgjedhje të tjera të paligjshme, shton anëtarë asambleje dhe shoqata sipas dëshirës, në kundërshtim me statutin e federatës dhe ligjin. Përjashton nga gara për president konkurrentët dhe dënon në emër te federatës çdo pjesëtar që ka mendim ndryshe, përfshirë edhe sportistët elitarë, të cilët nuk i ka lejuar të marrin pjesë në aktivitete ndërkombëtare edhe pse janë në nivel për medalje. Dërgon ‘e-mail’-e kërcënuese në emër të federatës për të intimiduar anëtarët e komunitetit, të cilët me shumë sakrificë po vazhdojnë të kontribuojnë në zhvillimin e sportit të peshëngritjes”, deklaron Leka. Drejtuesi i shumësportëshit durrsak ka denoncuar një tjetër skandal që sipas tij ka ndodhur në Federatën Shqiptare të Peshëngritjes dhe që ka të bëjë me “zhdukjen” e bazës materiale nga palestra e Kombëtares në Tiranës. Vetëm pak ditë më parë FSHP njoftoi se Federata Ballkanike e Peshëngritjes, me presidenti Elez Gjozën, kanë pajuar me bazë materiale Federatën e Maqedonisë së Veriut. Por sipas Lekës baza materiale është hequr nga palestra e ekipit tonë Kombëtare si dhe nga palestra të tjera të vendit, për t’u dërguar në Maqedoninë e Veriut, duke u kthyer në problem për mbarëvajtjen e stërvitjeve të shtangistëve tanë elitarë: “Elez Gjoza ka hequr bazën materiale nga palestra e Ekipit Kombëtar dhe nga palestrat e peshëngritjes në të gjithë vendin dhe ia ka dhuruar Maqedonisë së Veriut, sikur e kemi zgjidhur problemin në Shqipëri dhe po ndihmojmë të tjerët. Klubi Teuta edhe unë si Kreshnik Leka do bëjmë gjithçka të jemi krah sportistëve tanë në këtë situatë të vështirë që ndodhet peshëngritja nga uzurpimi i Elez Gjozës. I bëj edhe një herë thirrje të gjithë komunitetit të peshëngritjes që të mos lejojmë të nëpërkëmbemi nga një person që vepron në paligjshmëri, i cili e ka çuar këtë sport në nivelin më të ulët që nga krijimi i FSHP-së

sfidanti.al