I papunë dhe i uritur 4 vjet më parë, UFC duhet t’i trembet “bishës”!

Në kushtet më të vështira të mbijetesës, njeriu bëhet po aq i egër sa bishat më të tmerrshme si tigri apo luani. “Thirrja e të parëve” rikthehet në vesh, si dikur në kohët primitive të xhunglës, dhe duket se diçka të tillë ka përjetuar Fransis Nganu i arteve të përziera marciale (MMA). Nganu, me origjinë kamerunase, por i lindur në Francë, ka qenë i pastrehë deri 4 vjet më parë, ndërsa ka nisur të bëjë punë të rënda që në moshën 12-vjeçare për të siguruar bukën e gojës.

Historia e tij është ajo e shumë njerëzve që vijnë nga kushte shumë të vështira në vende të pasura si Franca, dhe pasi nuk gjejnë ngrohtësinë e duhur, kalojnë në rrugën e sportit ku mund të shkëlqejnë me ashpërsinë dhe forcën e tyre fizike, me reflekset e përshpejtuara nga e keqja.

Nganu nisi MMA-në vetëm 4 vjet më parë kur ishte 27 vjeç, ndërsa i ka fituar deri tani 6 ndeshjet në kampionatin botëror UFC për peshat e rënda. i mbetet vetëm pengesa e fundit, kampioni i botës, kroati Stipe Mioçiç, i cili ka kohë që dominon. Mioçiçit i duhet edhe vetëm 1 fitore që të vendosë rekord për peshat e rënda, por padyshim që duhet të ruhet mirë nga Nganuja.

Sfidanti.al