Një francez 51-vjeçar, Benua Lekont, niset të kalojë me not Paqësorin!

Aventurën e tij të gjatë francezi Benua Lekont e nisi nga qyteti Tjosi që ndodhet në bregun e Oqeanit të Qetë (Paqësor) në prefekturën Tiba të Japonisë. Kështu, ky notar francez i ka vënë vetes detyrën qe të bëhet njeriu i parë që do ta kalojë Paqësorin me not. Lekonti 51-vjeçar planifikon që të notojë tetë orë në 24 orë, ndërsa shpreson që, mbas afro gjysmë viti, të përshkojë rreth 9000 km, deri sa të arrijë deri në brigjet e SHBA-së. Rreziqe në rrugën e tij ai ka sa të duash: mot të keq, stuhi të forta, dallgë të mëdha, temperatua mjaft të ulta, peshkaqenë, etj. Ky notar i distancave të gjatë synon që të tërheqë vëmendjen e njerëzve te problemet e ngrohjes globale.

Një grup shkencëtarësh do ta shoqërojë Lekontin gjatë notimit të tij të gjatë, ndërsa do të studiojë edhe gjendjen e ujit të oqeanit gjatë të gjithë kohës së qëndrimit të tij në ujë.

Ben Lekont jeton në SHBA dhe, duke u përgatitur për sfidën në fjalë, ai ka kaluar shumë orë në ditë në det të hapur. “Rëndësi kryesore ka aspekti psikik sesa ai fizik. Duhet që, gjatë të gjithë kohës, të mendosh për diçka të mirë, të mos mendosh për problemet”, tha Lekonti para se të ndërmirrte sipërmarrjen e rrezikshme.

Përgatitjet për të kaluar Paqësorin Lekontit i zgjatën gjashtë muaj, por ideja e këtij notimi të gjatë atij i ka lindur shumë kohë më parë. 20 vite më parë, më 1998, ai përshkoi me not oqeanin Atlantik. Atëkohë, Lekonte i përshkoi rreth 6400 km brenda 73 ditëve, duke u bërë njeriu i parë në botë që kaloi me not Atlantikun. Kur, atëkohë, mbërriti në brigjet e Francës, ai tha: ”Kurrë më”. Por, më vonë, atij iu prish mendja dhe nisi aventurën e re.

Sfidanti.al