La Vuelta e këtij viti po kalon një nga edicionet më të tensionuara në historinë e saj 90-vjeçare. Në vend që të flitet për mitet sportive si Angliru apo Bola del Mundo, vëmendja është zhvendosur te debati politik i ndezur nga prania e skuadrës Israel–Premier Tech.
Pjesëmarrja e ekipit izraelit është kundërshtuar nga një pjesë e organizatorëve dhe ekipeve të tjera, ndërsa protestat pro palestineze kanë shoqëruar garën. Kriza kulmoi në Bilbao, kur etapa e 11-të u anulua vetëm 15 kilometra para fundit, pas kërcënimit të aktivistëve për të ndërhyrë në itinerar. Që prej asaj dite, gara zhvillohet nën masa të forta sigurie dhe shoqërohet nga manifestime në shumë qytete.
“Punë e shkëlqyer, Sylvan dhe ekipi çiklistik i Izraelit, për të mos u dorëzuar përballë urrejtjes dhe frikësimit! Ju bëni që Izraeli të ndihet krenar.”
Mesazhi i tij, i drejtuar pronarit Sylvan Adams dhe çiklistëve, synon të shfaqë rezistencë ndaj asaj që në Tel Aviv quhet “fushatë urrejtjeje”. Për Netanyahun, prezenca në një nga tri garat më të mëdha të kalendarit botëror është çështje shtetërore dhe jo thjesht sportive.
Megjithatë, kjo ndërhyrje politike ka rritur edhe më shumë polemikat. Disa zëra në peloton janë shprehur kundër vazhdimit të ekipit në garë, ndërsa të tjerë kërkojnë ruajtjen e neutralitetit sportiv. Organizatorët theksojnë se prioritet mbetet siguria e çiklistëve, por po shqyrtohen skenarë të tjerë në rast se protestat përshkallëzohen.
Në terren, skuadra Israel–Premier Tech mundohet të fokusohet vetëm te sporti, duke synuar të përfundojë La Vuelta-n, pavarësisht kritikave, fishkëllimave dhe akuzave që e ndjekin përgjatë rrugës.
La Vuelta, pa dashje, është kthyer kështu në një skenë gjeopolitike, ku pedalohet mes një stuhie politike që tashmë mban edhe firmën e Netanyahut.
sfidanti.al