Në duelin me Antetokumbon, Lebroni tregon kush është më i miri!

Kishin më shumë se një vit që nuk ishin vënë përballë njëri-tjetrit. Epidemia e koronavirusit ndikoi në NBA dhe nuk lejoi që dy yjet e mëdhenj, Lebron Xhejms e Janis Antetokumbo të ishin kundërshtarë drejtpërdrejt, por siç thuhet “malet me malet nuk takohen, por njerëzit takohen”. Ishte një takim që i voliste Antetokumbos pasi sfida ishte Miluoki-Lejkërs pra e luante në shtëpi, veçse kjo nuk bëri “fajde”.

Lebroni tregoi se kush është me të vërtetë lojtari më i mirë i NBA-së, ndonëse u ndesh me atë që e kishte fituar çmimin në dy sezonet e fundit. Lejkërsat triumfuan 113-106, me Xhejmsin që realizoi 34 pikë, nivelin më të lartë të sezonit. Numri 23 pati edhe 6 topa në tabela e 8 asistë (plus 1 vjedhje topi, 1 bllokim gjuajtjeje). Antetokumbo u përgjigj me 25 pikë e 12 topa në tabela (3 asistë), duke mos e arritur dot nivelin e kampionit.

“Unë nuk kam luftuar kurrë për tituj individual, por për titujt e skuadrës, – tha Lebroni pas ndeshjes, – vetëm kjo gjë ka rëndësi. Unë dua të ndihmoj ekipin që të fitojë ndaj çdo kundërshtari. Kjo është e gjithë çështja”. Vetë Antetokumbo tha se “ne kemi nevojë të punojmë më shumë për t’u përmirësuar, sidomos në mbrojtje”.

Sfidanti.al