NBA, Nikola Jokiç vërtet po luan në nivelin e Lojtarit të Vitit!

Lebron Xhejmsi është i paarritshëm për karrierën dhe po lufton për statusin e përjetësisë, në duelin e pafund me Majkëll Xhordanin. Kevin Duranti ka pasur shumë dëmtime dhe shumë “bredhje” për të qenë një “shtyllë”, ndërsa të tillë si Kauai Leonard, Xhejms Harden apo Stefën Kërri nuk kanë mundur të jenë gjithnjë në lartësinë që kërkohet. Mbetet Nikola Jokiç (në pritje të Luka Donçiçit), si njeriu që sfidon kampionët e mëdhenj të NBA-së për të fituar çmimin e Lojtarit të Vitit.

Paraqitja e tij e fundit për Denverin, në fitoren e lehtë ndaj ekipit deri tani më të mirë në NBA, Juta Xhazit (128-117), ishte një rikujtesë për klasin e basketbollistit qendër nga Serbia. Jokiç shënoi 47 pikë, dhe pati një saktësi të mahnitshme me gati 67 për qind të gjuajtjeve nga loja, madje 100 qind të atyre për tri pikë (4 nga 4). Shënoi 9 nga 10 personalet, kapi 12 topa në tabela (3 në sulm), shërbeu 5 asistë, vodhi 2 topa e bllokoi një gjuajtje ndërsa pati vetëm 3 topa të humbur. Ai shënoi gati 30 pikë më shumë sesa lojtari tjetër më i mirë i Denverit, Barton (18), ndërsa nga Juta, më i miri ishte kroati Bojan Bogdanoviç me 29 pikë. Denveri tani nuk është larg kreut në Perëndim me 12 fitore e 8 humbje, ndërsa Juta u arrit nga LA Klipers me 16 fitore e 5 humbje. Sa për Jokiçin, ai vazhdon të udhëheqë renditjen e lojtarëve në këtë sezon për vlerësimin me pikë, duke pasur 56.8 ndaj 53.5 të Luka Donçiçit dhe 52.8 të Janis Antetokumbos.

Sfidanti.al