Jo gjithnjë mund të jesh i shkëlqyer, sidomos kur je 21 vjeç, dhe për më shumë kur ke një ekip që prej vitesh nuk ka dalë në plej of. Luka Donçiç u detyrua të përballej me reagimin e Los Anxhelos Klipersave dhe krenarisë së tyre të cënuar, ndërsa leksioni duhet të mësohet shpejt. Skuadra kaliforniane fitoi tepër thellësisht, 154-111, në një nga diferencat më të mëdha në historinë e NBA-së, dhe për fituesit nuk qe nevoja që ndonjëri nga yjet të bënte ndonjë ndeshje të çmendur. Leonard, kampioni në fuqi i NBA-së me Toronton, shënoi 32 pikë, kapi 7 topa në tabela e dha 4 asistë, ndërsa Pol Xhorxh shtoi 35 pikë. Klipersat patën disa basketbollistë në nivel të lartë si Morris, Shamet, Xhekson apo Harrell. Tek Dallasi, Donçiç luajti një ndeshje të zakonshme me 22 pikë, 8 topa në tabela e 4 asistë, duke qenë në parket për 31 minuta, por shokët nuk iu përgjigjën. Kristaps Porzingis sërish mungoi, ndërsa Marjanoviç këtë herë nuk ishte aq dominues. Hardëuej realizoi 19 pikë, Bërk 15 dhe Kleber 12. Klipersat kryesojnë serinë e raundit të parë të plej ofit 3-2 dhe janë një fitore larg kualifikimit.
Sfidanti.al