NBA, Boston Celtics triumfojnë ndaj Indianas

Boston Celtics shënuan një fitore të madhe ndaj Indiana Pacers në TD Garden, duke triumfuar me rezultatin 103-95 pas një rikthimi mbresëlënës në pjesën e dytë të ndeshjes. Indiana e nisi takimin shumë më mirë, duke marrë një epërsi prej nëntë pikësh pas çerekut të parë. Pacers vazhduan me lojë dominuese edhe në çerekun e dytë, ku e rritën ndjeshëm avantazhin dhe shkuan në pushim me shifrat 61-43. Në një moment, epërsia e mysafirëve arriti deri në 20 pikë.

Megjithatë, pjesa e dytë i përkoi plotësisht Bostonit. Në çerekun e tretë, Celtics reaguan fuqishëm dhe arritën ta ulin diferencën në vetëm tetë pikë. Në çerekun vendimtar, vendasit përmbysën rezultatin dhe, pa ndonjë dramë të madhe në fund, siguruan fitoren e merituar. Ylli i mbrëmjes për Bostonin ishte Jaylen Brown me 31 pikë, ndërsa Derrick White kontribuoi me 19 pikë. Tek Indiana, më i dalluari ishte Pascal Siakam me 25 pikë. Pas kësaj fitoreje, Boston Celtics mbajnë vendin e tretë në renditjen e Konferencës Lindore të NBA-së me 18 fitore dhe 11 humbje. Indiana Pacers vazhdojnë të kenë vështirësi këtë sezon, duke u renditur në vendin e 14-të me bilanc 6 fitore dhe 23 humbje.

Rezultatet:

Cleveland – Charlotte 139-122

Boston – Indiana 103-95

New Orleans – Dallas 119-113

Denver – Utah 135-112

Oklahoma – Memphis 119-103

Golden State – Orlando 120-97

Portland – Detroit 102-110

sfidanti.al