Nadal, një hap e ndan nga Grand Slemi i 19-të në karrierë!

Mbërriti finalen në US Open, dhe është fare pranë titullit në Nju Jork. Rafael Nadal i respektoi parashikimet duke kaluar relativisht lehtë italianin Mateo Beretini, 3-0 me sete, në gjysmëfinalen e luajtur në Flashing Midous, dhe tani është vetëm një hap larg arritjes së titullit të 19-të Grand Slem në karrierë. Që do të thotë vetëm 1 titull larg Rozher Federerit, rekordmenit botëror në tenisin e meshkujve.

Spanjolli nuk e pati plotësisht “të shtruar” rrugën drejt finales, pasi dy setet e parë ishin të fortë, dhe u fituan prej tij 7-6 e 6-4, ndërsa i treti ishte “shëtitje”, 6-1. Tashmë, ai duhet të masë forcat në finale me rusin 23-vjeçar Danil Medvedev, që kaloi bullgarin Dimitrov në gjysmëfinalen tjetër. Nadali 33-vjeçar do të jetë favorit, por Medvedev cilësohet si ylli i ri në ngjitje i tenisit botëror.

Sfidanti.al