“Me të vërtetë, shpresoj që, së afërmi, ne të dëgjojmë lajme të mira për Shumaherin. I admiroj Korinën dhe Mikun sesi ata po e përballojnë situatën e krijuar, para së gjithash, duke u qëndruar larg organeve të medias”, deklaroi, dje, ish-piloti i Formulës 1 austriaku Gerhard Berger që beson se kampioni i shtatëfishtë, Mihael Shumaher, do të arrijë që ta marrë veten nga traumat që pësoi, gjatë aksidentit të rëndë, duke bërë ski, më 2013. Sikurse dihet, Shumaheri, më 29 dhjetor 2013, u rrëzua, duke pësuar disa trauma të rënda në kokë. Piloti i njohur gjerman, menjëherë, u transportua në spitalin e Grenoblit, ku iu nënshtrua një operacioni, ndërsa, më pas, kaloi gjashtë muaj në koma. Ripërtëritja e tij, më vonë, vazhdoi në Lozana, ndërsa, në shtator 2014, ai u transferua në shtëpinë e tij në qytetin zviceran Glandu.
Familja e tij e izoloi Shumaherin nga opinioni publik që ripërtëritja e tij shëndetësore të vazhdonte larg syve kureshtare. Mihaeli ka kushtet më të mira të përkujdesjes mjekësore, ndërsa thuhet se, deri tani, familja ka shpenzuar disa dhjetëra miliona euro. Duke qenë se informacione të sakta për gjendjen e tij shëndetësore, nuk ka, deklarata e Bergerit është optimiste dhe i gëzon të gjithë njerëzit. “Unë akoma besoj te mrekullia. Me të vërtetë, unë shpresoj që, së shpejti, ne të dëgjojmë lajme të mira për Mihaelin”, thotë Bergeri.
Sfidanti.al