Në ndeshjen e fundit i dha fitoren Dallasit, ekip që tani ka 6 suksese dhe 3 humbje, një përmirësim i ndjeshëm në NBA. Luka Donçiç shënoi 24 pikë, kapi 14 topa në tabela dhe shërbeu 8 asistë, në triumfin 138-122 ndaj Memfisit. Ai nuk e realizoi dot tripëll dabëllin e pestë të sezonit, sepse trajneri e uli në stol në pjesën e katërt, kaq e madhe ishte epërsia e Dallasit. Kjo, edhe pse letonezi Kristaps Porzingis nuk luajti, pasi drejtuesit e ekipit nuk donin ta lodhnin më shumë sesa duhet,ndërsa kishte pësuar një dëmtim në gju.
Ylli slloven është një nga pesë lojtarët më të mirë të sezonit, bashkë me Lebron Xhejmsin, Xhejms Hardenin, Koui Leonardin e ndonjë tjetër. Ka mundësi që ai të nisë të fitojë vota për të garuar për Lojtarin më të mirë të sezonit, ndonëse është ende 20 vjeç. Kjo do ta bënte të krahasueshëm me legjenda të tilla si Lebron Xhejms, Mexhik Xhonson, Kobi Brajant, Tim Dankën apo Shakill O’Nill.
Sfidanti.al