Një pjesë e popullsisë në Tokio është kundër zhvillimit të Lojërave Olimpike vitin e ardhshëm dhe kjo nuk i ka shpëtuar kandidatit për Guvernator të kryeqytetit japonez, Taro Yamamoto i cili premton të anulojë evenimentin nëse do të zgjidhet.
Sipas Yamamoto që dikur ka ushtruar profesionin e aktorit, pas një viti bota nuk do të jetë ende e lirë nga Covid 19 dhe se gjithsesi, Olimpiket do të regjistrojnë më shumë humbje se përfitime sidomos në aspektin financiar dhe për këtë arsye ato duhen anuluar.
Lideri I partisë së opozitës, ‘Reiwa Shinsengumi’, Yamamoto gjithsesi është prapa të gjithëve në sondazhe, ndërkohë që guvernatori aktual Yuriko Koike është favorit për t’u rizgjedhur në postin e tij. Votimet për Guvernator të Tokios do të mbahen javën e ardhshme, por Yamamoto shprehet i bindur se mund të përmbysë situatën dhe të fitojë zgjedhjet.
Të dhënat më të fundit flasin se në Japoni janë regjistruar mbi 17400 raste dhe pak më shumë se 900 të vdekur nga coronavirus. Lojërat Olimpike të Tokios janë programuar për t’u zhvilluar në 23 korrik-8 gusht të 2021.
Sfidanti.al