Lista e Xhastin Getjes para tërheqjes: Mekgregor, Puarie, Nurmagomedov!

Fitorja ndaj Toni Fergusonit ishte e rëndësishme, por cilësohet prej tij vetëm si ngjitja e shkallës së parë drejt suksesit absolut. Nuk dihet nëse Xhastin Getje do të ketë zotësinë dhe fatin për t’ia dalë, por thuhet se ai ka përpiluar një listë me ndeshjet që dëshiron të zhvillojë përpara sesa të tërhiqet nga sporti. Amerikani 31-vjeçar dëshiron të dalë në oktagon përballë emrave më të mëdhenj të arteve të përziera marciale, në Kampionatin Botëror UFC.

Këta emra janë irlandezi Konor Mekgregor, amerikani Dastin Puarie (Poirier) dhe kampioni absolut i peshave tëmesme, dagestanasi Habib Nurmagomedov. “Dua që t’ia mbyll gojën Mekgregorit, – u shpreh Getje në një intervistë për një media amerikane, – e dëshiroj shumë dhe mund t’ia dal. Mund të ndeshem menjëherë me të. Duhet të ndeshem me të më mirin, me Nurmagomedovin, si dhe me Puarienë dhe pastaj të largohem”. Gjithsesi, Getje thotë se Mekgregori nuk është rivali për të cilin ai po mendon tani, pasi më të rëndësishëm janë Nurmagomedovi e Puarie.

Sfidanti.al