LeBron James ka hyrë në historinë e NBA duke vendosur rekordin për më së shumti ndeshje të luajtura në sezonin e rregullt, teksa udhëhoqi Los Angeles Lakers drejt një fitoreje dramatike 105-104 ndaj Orlando Magic.
Në paraqitjen e tij të 1,612-të, 41-vjeçari la pas rekordin e mëparshëm të Robert Parish me 1,611 ndeshje. Fitorja e Lakers erdhi në sekondat e fundit, kur Luke Kennard realizoi një treshe vendimtare vetëm 0.6 sekonda para përfundimit.
“Thjesht ndodhi. Nuk ishte në listën e gjërave që doja të arrija,” u shpreh James pas ndeshjes. “Doja të bëhesha lojtari më i mirë në ligë, një nga më të mëdhenjtë ndonjëherë, të fitoja tituj kampionë dhe çmime individuale. Por ajo që ka ndodhur vitet e fundit ka qenë vërtet e jashtëzakonshme.”

