Lebron Xhejms është si një “bombë me sahat”. Superylli i basketbollit botëror duket se ka llogaritur gjithçka që 31 humbjet në sezonin e rregullt në NBA t’i kthejë vetëm në fitore në plej of. Nën udhëeheqjen e tij, Klivlendi nuk ka pësuar asnjë disfatë deri tani dhe është vetëm një hap larg kualifikimit për në finalen e Konferencës Lindore. Suksesi 115-94 në fushën e Torontos bëri që epërsia të shkojë në 3-0, dhe Kavaliersi ka 7 ndeshje e 7 fitore në plej of.
I mbiquajturi “Mbreti” shënoi 35 pikë dhe Klivlendi u shkëput në periodën e katërt duke realizuar një shkëputje të pjesshme 20-2 që në fillim të saj. Kampionia në fuqi e Amerikës u bë e para skuadër që nga Lejkërsat në 1950 që të fitonte të 7 takimet e parë të plej ofit në dy sezone radhazi, dhe kjo flet qartë për forcën e saj. Kevin Lov ndihmoi Xhejmsin me 16 pikë dhe 13 topa në tabela, ndërsa Toronto e pati yllin e vet. DeMar DeRozan shënoi 37 pikë, më shumë se çdo lojtar në parket, por nuk mjaftoi, ashtu edhe lituanezi Jonas Valanciunas (19 pikë).
Një tjetër kampion i madh është Leonard i San Antonios. Edhe pse nuk shënoi kaq shumë pikë, 23, sërish ishte ai shpirti i Spërsave që fituan një ndeshje besohet vendimtare në fushën e Hjustonit për të marrë epërsinë 2-1. Falë tij dhe Lamarkus Olldrixhit (23 pikë), ata rimorën epërsinë e faktorit fushë në gjysmëfinalen e Perëndimit, pavarësisht 43 pikëve të Xhejms Hardenit për vendasit. San Antonio luajti për herë të parë që nga viti 2001, pa Toni Parkerin pasi francezi u dëmtua në ndeshjen e kaluar.
Sfidanti.al