Kultard pyet Mbretëreshën: Ç’të keqe ka bërë Hamilton që nuk bëhet Sër?!

Kontributi i tij për Mbretërinë e Bashkuar është tepër i madh, edhe pse ndokujt apo shumëkujt mund të mos i pëlqejë. Ljuis Hamilton është piloti më fitues britanik në histori në Formula 1, ndërsa sapo ka thyer rekordin e legjendës Mikael Shumaher me 92 fitore. Gjithsesi, kjo nuk ka mjaftuar deri tani që ai të nderohet me titullin kalorsiak nga Mbretëresha Elizabeta II. Kjo e habit ish-pilotin e njohur britanik, skocezin Dejvid Kultard.

“Unë nuk e kuptoj se përse, pas gjithë këtyre titujve botërorë në karrierë, ai ende nuk është bërë kalorës, Sër, – tha Kultardi duke folur për “Radio 5 BBC Direkt” , – ai është një ambasador global për Britaninë. Ne kemi një kampion të vërtetë botëror në Formula 1. Ne kemi Ljuisin aty, që mban lart me krenari flamurin e Junion Xhekut. Pra a e di ndokush arsyen se përse ai nuk është i pranueshëm për titullin kalorsiak, sipas rregullave të tanishme për këtë gjë?” Kultardi thotë se ai e meriton po aq sa Andi Marrej, në mos edhe më shumë, ndërsa ndoshta përkushtimi i Hamiltonit për tema shoqërore mund të jetë një arsye.

Sfidanti.al