“A do të fillojë fundjava e mrekullueshme e Ljuis Hamiltonit”, pyet gazetari i “Skajit”, pas përfundimit të provave zyrtare të Çmimit të Madh të Kanadasë. Mbreti i momentit në Formula 1, pikërisht në këtë moment është jashtë “kartolinës” së “pole positionit” në pistën e Montrealit, i zbritur në vendin e katërt, aty ku do ta nisë garën e sotme.
Kampioni i botës u la pas jo vetëm nga rivali i tij kryesor për titull, Sebastian Fetel, por edhe nga shoku i skuadrës tek Mercedesi, Valteri Botasi, si dhe nga holandezi “fluturues” dhe “i çmendur” i Red Bullit, Verstapen. Çfarë po ndodh me anglezin që nuk po bind këtë sezon, edhe pse sërish është në krye të renditjes, sërish favorit për fitoren përfundimtare?
Vështirë ta gjesh saktë, nëse është i mbingopur nga 4 titujt botërorë, 64 fitoret (i dyti i të gjitha kohëve pas Shumaherit) apo nga 74 pole positioned (rekord botëror). Vështirë ta kuptosh nëse është rritur konkurrenca nga rivalët dhe makinat e tjera, si Ferrari apo Red Bulli. Tifozët, sidoqoftë, mund të jenë të sigurt se Çmimi i Madh i Kanadasë do të jetë i bukur, sidomos në një pistë ku parakalohet. Jo vetëm kaq, por që nga vendi i parë, Feteli, deri tek i katërti, Hamiltoni, diferenca kohore është vetëm 2 të dhjetat e sekondës.
Hamilton kryeson renditjen me 110 pikë, ndaj 96 të Fetelit dhe 72 të Riçardos, ndërsa Mercedesi kryeson për skuadra me 178 pikë, me Ferrarin në vend të dytë me 156.
Sfidanti.al