Konfirmimi i madh i Medvedevit, fiton Finalet ATP Masters në Londër!

“Nga Rusia me dashuri”, është titulli i një filmi të famshëm britanik me Xhejms Bondin. Ishin vitet 60-të dhe më e saktë do të ishte flitej për Bashkimin Sovjetik, por suksesi i sotëm në Finalet ATP vjen vërtet nga Rusia. Danil Mevdeved, talenti i turbullt i tenisit botëror e tregoi më në fund veten se çfarë ishte në gjendje të bënte në një finale vërtet të madhe.

Mundi austriakun Dominik Tim në Arenën e Londrës, duke triumfuar 2-1 ndonëse humbi setin e parë. Tim fitoi fillimit 6-4, pastaj rusi u kthye me shifrat 7-6 e 6-4 në një ndeshje fundore vërtet të madhe, siç duhej të ishte në Finalet ATP. Jo më kot, ky turne cilësohet si Grand Slemi i pestë i vitit, dhe jo pa arsye aty luftojnë për titull 8 tenistët më të mirë të renditjes botërore.

Tenisti moskovit ishte padyshim një fitues i merituar, më i miri tenist i turneut, ku arriti 5 fitore e nuk humbi asnjë ndeshje, duke kaluar radhazi Zverevin, Gjokoviçin, Shvarcmanin, Nadalin e tani Timin. Ai humbi vetëm 2 sete, në gjysmëfinale e në finale, dhe u shpërblye me mbi 1.5 milionë USD, që ishte shpërblimi financiar.

Danil Sergejeviç Medvedevi, lindur në Moskë dhe banues në Principatën e milionerëve në Montekarlo, duket se po arrin pjekurinë tani në moshën 24-vjeçare. Një gjigand me shtatlartësi 1.98 metra, ai vlerësohet si një talent i rrallë dhe shumë i fuqishëm fizikisht, por edhe si natyrë e vështirë që e humbet lehtë toruan dhe bën gabime fëminore kur ndodhet në gjendje të vështirë. Rusi preferon sipërfaqen me çimento, dhe jo më kot arriti vjet finalen në US Open, ku ndoshta mund ta fitojë titullin e parë Grand Slem në karrierë.

Sfidanti.al