Kërri vazhdon shkëlqimin dhe afrimin ndaj legjendës Rej Allen!

Sezoni duket ai i duhur për të hyrë edhe më shumë në histori dhe Stefën Kërri po bën gjithçka që kjo të ndodhë. Shënuesi më i mirë i këtij sezoni në NBA (28.2 pikë për ndeshje), dhe një nga 4-5 basketbollistët më të mirë, udhëhoqi Golden Stejtin në një tjetër fitore, të pestën radhazi, 116-96 ndaj Filadelfias që pati shumë mungesa si Embijd apo Sajmëns. Kërri shënoi 25 pikë dhe shërbeu 10 asistë. Ai realizoi edhe 6 gjuajtje të tjera për tri pikë duke vazhduar t’i afrohet liderit historik të këtij specialiteti në NBA, Rej Allenit. Ky i fundit ka 2 973 tripikësha, Kërri ka arritur në 2924, pra i duhen më pak se 50 kosha për t’u bërë më i miri në historinë e sezonit të rregullt, diçka që do të ndodhë këtë sezon. Golden Stejti kryeson renditjen në Perëndim me 16 fitore e vetëm 2 humbje, ndaj 15 fitoreve e 3 humbjeve të Feniksit.

Sfidanti.al