Të dyja skuadrat mund të quhen me shaka “rrugaçe”, apo më saktë “fituese në rrugë”. Kjo sepse Golden Stejti dhe Bostoni dinë më mirë t’ia dalin jashtë fushe sesa në shtëpi dhe kështu po ndodh edhe në Finalen e Madhe të NBA-së. Stefën Kërri realizoi një nga paraqitjet e tij më të mira të karrierës në fazën e plej ofit duke ndihmuar Uorriorsat që të fitonin 107-97 në Masaçusets. Kërri shënoi 43 pikë, kapi 10 topa në tabela e shërbeu 4 asistë, duke qenë shumë mirë në gjuajtjet nga loja si dhe 50 për qind për tri pikë: 7 realizime nga 14 prova!
Ai u ndihmua sidomos nga Endrju Uigins me 16 topa në tabela e 20 pikë dhe Kevon Luni me 11 topa në tabela, ndërsa Klej Tompsoni shënoi 18 pikë e Xhordan Pul 14. i çuditshëm Drejmond Grini me 9 topa në tabela, 8 asistë, 4 vjedhje topi, por me vetëm 6 pikë! Për Bostonin këtë herë nuk mjaftuan yjet, sepse ndaj Golden Stejtit nuk mjafton që të luash “normalisht”, duhet të jesh në maksimum. Tatëm shënoi 23 pikë, plus 11 topa në tabela e 6 asistë, Xhejlën Braun pati 21 pikë e 6 topa në tabela, ndërsa Markus Smart 18 pikë. Rezultati i Finales së Madhe është 2-2, ndërsa ndeshja e radhës luhet në fushën e Golden Stejtit, në San Francisko.
Sfidanti.al