“Kampionia e lindur” Radukanu udhëheq gjeneratën e re të tenisit botëror!

Çdo të thotë një kampione e lindur? Edhe pse përkufizimi nuk është i saktë, pasi duhet shumë punë për t’ia dalë, sërish një kampione e lindur është ajo që shkëlqen që në moshë fare të re. Në Shqipëri kanë qenë Ela Tase, apo edhe Agim Fagu tek meshkujt, ndërsa në tenisin botëror sot ka një emër. Ema Radukanu, vajza 18-vjeçare që fitoi Grand Slemin e US Openit duke shkruar historinë.

“Së pari dua të përgëzoj Lejlën dhe ekipin e saj për këto dy javë të pabesueshme, – e nisi adoleshentja, – niveli i finales ishte shumë i lartë dhe unë uroj që të luajmë së bashku edhe në shumë turne të tjerë të mëdhenj. Dua të falenderoj trajnerët e mi që më ndihmuan, po ashtu edhe tifozët që më bënë të ndihem si në shtëpinë time. Sot ka shumë teniste të reja që duan të fitojnë, dhe shpresoj të ndjekim gjurmët e legjendave që e kanë luajtur këtë sport”

Finalja në “Flashing Midous” ishte vërtet si fillimi i një epoke të re, e para mes dy adoleshenteve që nga koha e Maria Sharapovës, Serena Uilliamsit dhe Martina Hingisit, 22 vjet më parë. US Openi këtë vit ishte si një dorëzim stafete, pasi Radukanu e Fernandez shkëlqyen ndërsa nuk ishin legjendat e vjetra, Serena Uilliams, Rozher Federer apo Rafael Nadal. Një yll i ri ka lindur, por edhe Era e Emigrantëve pasi në Nju Jork dominuan vajzat e njerëzve të vuajtur të larguar nga atdheu i tyre.

Sfidanti.al