U desh të lodhej shumë për të arritur majën. Haxhi Krasniqi, i njohur më së shumti në Gjermani me emrin Robin, humbi dy finale për titullin botëror, pastaj iu kthye fitoreve duke marrë titullin europian, përpara se të hidhte hapin e fundit. Boksieri i peshave të mesme profesioniste kaloi radhazi Jurgen Dobershtajnin, Stanislav Kashtanovin, Roni Landetën e Stanislav Eshnerin, përpara sesa të fitonte të drejtën e duelit me kampionin e botës, Dominik Bëzelin.
Kjo për kategorinë më të ulët të peshave të rënda, pra një peshë më lart nga ajo ku ka luftuar normalisht. Një gjerman-gjerman do të ishte përballë një gjermani me origjinë nga Kosova, lindur në Junik 33 vjet më parë. Pikërisht në këtë moshë, që mund të quhet si tepër e pjekur për boksin profesionist, Krasniqi zhvilloi një nga ndeshjet më të mira të karrierës në “Arenën Getek” të Magdeburgut në Gjermani.
Ai arriti një fitore të rrufeshme në vetëm 3 raunde ndaj atij që ishte kampioni në fuqi i botës për federatat WBA dhe IBO, në prani të 2 000 spektatorëve. “Jam shumë i lumtur që e arrita këtë triumf, – ishin fjalët e 33-vjeçarit që jeton në Augsburg, – kjo sfidë ka zgjatur 15 vjet për mua. Kam provuar shumë suksese dhe dështime, dhe më në fund ia dola. Nuk i mbajta dot lotët që realizova këtë ëndërr. Shumë falenderime për të gjithë ata që besuan tek unë. Uroj që Dominiku të kthehet sa më shpejt dhe sa më i fortë. Ne jemi një familje, fitojmë bashkë dhe humbim bashkë”.
Një kulm i vërtetë i karrierës, pas dështimeve në 2013 e 2015, dhe pas fitores e humbjes së titullit europian përkatësisht në 2018 e 2019. Kjo ishte fitorja e 51-të për Krasniqin, nga të cilat 19 janë arritur me nokaut, ndërsa ka edhe 6 humbje.
Sfidanti.al