Hamilton i heq kapelen shokut të ekipit, Botas: E dija sa vlente!

Ljuis Hamilton do të ketë dy rivalë për titullin në Formula 1 këtë sezon. Përveç Sebastian Fetelit të Ferrarit, që kryeson renditjen e Botërorit, anglezi do të ketë punë edhe me shokun e skuadrës tek Mercedesi, Valteri Botas. Fitorja e finlandezit në Rusi bëri që ai të ngjitej në vetëm -10 pikë diferencë nga Hamiltoni dhe anglezi thotë se nuk është çuditur aspak.

“E thashë që në fillim të sezonit se Valteri ishte në garë për gjithçka, dhe nuk ka asnjë habi që ai mund të fitojë Çmime të Mëdha, – u shpreh tri herë kampioni i botës, – ai është një konkurrent i besueshëm, dhe ishte i tillë që kur erdhi tek ne. Përkundrazi, ishin disa nga ju gazetarët dhe një pjesë e tifozëve që e vinit në diskutim, por ai tregoi se ju e kishit gabim”.

Hamilton mbërriti në Barcelonë të Spanjës, ku do të zhvillohet Çmimi i Madh i radhës në pistën e Katalunjës, dhe ai shpreson që Mercedesi i tij të jetë i shpejtë si përherë, por jo si në Soçi, ku ai mbeti 36 sekonda prapa Botasit. Ljuis nuk arriti të shpjegonte se çfarë ndodhi, por besohet se skuadra ka punuar fort që ai të jetë sërish i shpejtë dhe të konkurrojë me Fetelin që ndodhet 13 pikë përpara, në krye të renditjes së Botërorit.

Sfidanti.al