Hamilton habitet nga pyetja: Fetel i ashpër? Kështu duhet garuar!

Mund të kënaqet kur fiton, dhe të mërzitet kur humbet, por lumturia më e madhe për Ljuis Hamiltonin është kur garon duke luftuar. Për fatin e tij (të mirë apo të keq?) këtë sezon do të ketë me kë të bëjë luftë. Sebastian Fetel po bën gjithçka që Formula 1 të jetë një fushëbetejë, siç u pa edhe në Çmimin e Madh të Spanjës, por kjo duket se nuk e mërzit pilotin e Mercedesit.

“A u tregua Fetel shumë i ashpër? Të tilla janë garat, – tha anglezi, – është kënaqësi e madhe kur garon ndaj një piloti të tillë dhe aq më shumë kur fiton”. “Nuk do të ndryshoja asgjë në mënyrën e pilotimit, – vazhdoi ai kur u pyet për duelin pas daljes së Fetelit nga ndalesa, – mendova se kisha zënë  pozicionin e duhur, pastaj ai ishte shumë afër”. Fetel kryeson Botërorin me 104 pikë, 6 më shumë sesa Hamilton, ndërsa Mercedesi është në vendin e parë për skuadrat, me 161 pikë ndaj 153 të Ferrarit.

Sfidanti.al