Tekanjozi Murinjo zhgënjen publikun me intervistën në Londër

Zhoze Murinjo ndonjëherë krahasohet me ndonjë “mace”, nga ato që gërvishin me thonj menjëherë kur nuk u pëlqen diçka. Trajneri i Mançester Junajtidit e forcoi edhe më tej këtë përshtypje me intervistën e fundit, dhënë në mbyllje të ndeshjes që skuadra e tij e humbi në fushën e Totenhemit. Portugezi nuk u kënaq nga pyetjet e gazetarit dhe u largua duke e ndërprerë në mes intervistën direkt në televizion.

“Këto janë ndeshje që ne thjesht nuk duam t’i luajmë, – tha Murinjo, dhe nuk u mor vesh nëse i tha seriozisht, apo në formë ironike, – unë jam i kënaqur me lojtarët, por nuk kishim zgjedhje tjetër. Nuk mund të përballojmë kaq shumë ndeshje të forta në kaq pak ditë, me kaq pak lojtarë, ndaj duhej të bëja zëvendësime”. Junajtid pati 8 ndryshime në formacion nga ekipi i zakonshëm, ndërsa takimi përfundoi 2-1 për Totenhemin.

Murinjo po mendon më shumë për Ligën e Europës, e cila mund ta kualifikojë për në Champions nëse e fiton. Pasi kaloi gjysmëfinalen e vështirë ndaj Seltës së Vigos (1-0, 1-1), Junajtid do të luajë finalen ndaj Ajaksit, një ndeshje që për trajnerin është më e rëndësishme sesa ato që kanë mbetur në Premier.

Sfidanti.al