Duhej të kishte qenë një tjetër ditë e zakonshme “pune” në Formula 1. Themi pune me thonjëza sepse flasim për sport dhe spektakël shpejtësie, ndërsa Ljuis Hamiltonit i bëri hije një … qen. Një krijesë e tillë, një mik i njeriut, se nga e gjeti rrugën dhe hyri në pistën ku po zhvilloheshin provat e lira të Çmimit të Madh të Bahreinit. Ky ishte një qen rrugësh, ose ndoshta një qen që dikur kishte pasur një zot dhe një shtëpi, por që kishte mbetur vetëm, nga ata që anglezët u thonë “strej dogs” (stray dogs). “Kujdes, – i thanë Hamiltonit nga skuadra, – një qen në pistë”. “Uroj të mos jetë Roskou (qeni i tij)”, – ishte përgjigja. Më në fund, qeni ynë u largua dhe “fushë” mbetën vetëm konkurrentët. Hamiltoni i fitoi provat e lira duke lënë pas Maks Verstapenin e Red Bullit, ndërsa shoku i këtij të fundit, Alboni, u përplas keq, dhe ndoshta nuk do të ketë makinë për garën e së dielës.
Sfidanti.al