Gjokoviçi rrezikon prej …sheqerit, nuk ushqehet si kampionet !

Mjeku zviceran, Jurg Hosli, ka mendimin se Novak Gjokoviçi po rrezikon jetën e tij, për shkakt të dietës, së cilës ky tenist serb i përmbahet rigorozisht. Novaku, para disa vitesh, ndryshoi ushqimin dhe tani nutricionisti (specialist i ushqimit) i njohur nga Zvicra që ka edhe një institut për diagnozat nutricioniste, vë në dukje se Gjokoviçi duhet të jetë bërë pishman për ushqimin që ka zgjedhur.

“Kur dëgjova për planin e tij të marrjes së ushqimit, pyeta veten sesa ai do të mund të duronte dhe ja, tani, u shfaqën pasojat. Gjokoviçi ka ortoreksi, pra, atij i është bërë fiksim ushqimi i shëndetëshëm, por pasojat që le kjo dietë, janë afatgjate dhe ai nuk ka qenë i ndërgjegjshëm për to”, vuri në dukje Hosli, duke shtuar më poshtë:

“Ai i shmanget çdo produkti ushqimor që përmban sheqer. Ndoshta, kjo gjë duket si diçka e mirë në fillim, por ajo lë pasoja negative tek organizmi, nëse zgjat për një kohë të gjatë. Me kalimin e kohës, fillon të ndjesh lodhje, ke acarime të ndryshme, alergji dhe rënie të imunitetit. Njerëzit që kanë këto lloj simptomash sëmundjeje, kanë stres dhe nuk flejnë shumë, kështu që janë të detyruar të marrin ilaçe gjumi. Më pas, ata bien në depresion dhe nisin të priren drejt vetëvrasjes”, theksoi nutricionisti i njohur zviceran.

Sfidanti.al