Ishte një spektakël i tmerrshëm si ata të viteve 70-të. Një tjetër moment tmerri ndodhi në garat e shpejtësisë, këtë herë në pistën e Monzës në Formula 3, ku piloti australian, Aleks Peroni, arriti të shpëtonte për mrekulli nga vdekja. Makina e tij doli gjerë në një kthesë, dhe hasi në një gungë të vendosur anës pistës, gjë që e bëri të fluturonte në ajër.
Pasi u rrotullua tri herë rreth vetes, makina e Peronit u përplas me gardhin e jashtëm të pistës, duke u dëmtuar mjaft, por piloti 19-vjeçar qëlloi me shumë fat. Ai doli nga makina e tij krejtësisht i padëmtuar, por gjithsesi përfundimi mund të kishte qenë fatal.
Aksidenti i australianit ndodhi saktësisht një javë pas përplasjes së tmerrshme që i mori jetën pilotit francez të Formula 2, Antuan Hyber. Gjithë bota e automobilizmit i bëri homazhe Hyberit, ndërsa piloti tjetër i përplasur në Belgjikë, Huan Manuel Korrea, fillimisht u bë mirë në spital, por së fundmi gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ra përsëri në koma.
Menjëherë pas aksidentit të Peronit, pati reagime të fuqishme në rrjetet sociale për të hequr gungat artificiale në bordurat e pistave, dhe kjo gjë do të bëhet që në Monza, këtë fundjavë.
Sfidanti.al