Formula 40+10, Kërri udhëheq Golden Stejtin dhe ndriçon NBA-në!

Vazhdon t’i afrohet më të mirit të gjuajtjeve nga largësia dhe besohet se shpejt do të jetë ai rekordmeni. Stefën Kërri dha një tjetër provë të saktësisë së tij në gjuajtje në NBA me një paraqitje të shkëlqyer për 3 pikë e duke pasur tani 2626 realizime, ndërsa vendi i parë Rej Allen ka 2973. Ndoshta, ylli i Golden Stejtit mund t’ia dalë sezonin e ardhshëm. Kërri ishte në formë vërtet shumë të mirë pasi shënoi 40 pikë ndaj Orlandos, u tregua i saktë në 10 gjuajtje për tri pikë (nga 19 gjithsej), kapi 8 topa në tabela, shërbeu 5 asistë dhe vodhi 4 topa, edhe pse e humbi 6 herë edhe topin për vete. Kjo ishte ndeshja e tij e 13-të radhazi me të paktën 4 tripikësha, një rekord i karrierës. Golden Stejti fitoi 111-105 ndaj Orlandos, që pati mungesa, dhe për të cilën më i miri ishte i zakonshmi Nikola Vuçeviç me 25 pikë edhe pse me mjaft gabime.

Drejmond Grini bëri paraqitjen e tij të zakonshme, jo me shumë pikë (vetëm 8), por me 6 topa në tabela, 11 asistë, 1 vjedhje topi e 2 bllokime gjuajtjesh, duke qenë një nga më të mirët në fushë. Golden Stejti, 4 herë kampion i NBA-së, ishte pa lojtarin e ri qendër Xhejms Uajsmen pasi debutuesi ishte i dëmtuar. Skuadra nga Kalifornia ka një përmirësim të ndjeshëm në krahasim me vjet duke pasur 14 fitore e 12 humbje, në vendin e 8-të në Perëndim, por do të ishte shumë më mirë nëse në parket do të ishte kapiteni Klej Tompson që mbetet i dëmtuar.

Sfidanti.al