Figuristi Jevgeni Plushenko përfundon karrierën

Dy herë kampioni olimpik në patinazhin artistik, rusi Jevgeni Plushenko, shpalli, ditët e fundit, përfundimin e karrerës së tij sportive. ‘Unë nuk do të marr pjesë në Olimpiadën Dimërore të vitit 2018 si sportist, pasi unë e mbylla karrierën time. Unë, tani, po hap akademinë time, ku do të punoj si trajner. Nëse, ne, bashkë me sportistët do të bëhemi gati për Olimpiadën, atëherë, ka shumë mundësi që edhe unë të shkoj atje, por si specialist”, tha Plushenko në një intervistë televizive, duke saktësuar se ai e kishte marrë vendimin e largimit nga sporti aktiv qysh një vit më parë, kur bëri operacionin e fundit.

“Të them të drejtën, e kam të vështirë që të konkurroj me të rinjtë e sotëm. Fundi i fundit, ka një kufi. Unë kam bërë 15 operacione, kështu që të marr pjesë në Olimpiadën e 5-të më duket diçka e vështirë. Unë jam ngopur, tanimë”, tha Plushenko. Në fakt, Plushenko, një nga figuristët më të titulluar të Rusisë, e ka shpallur njëherë largimin e tij nga sporti aktiv në Olimpiadën e Soçit, më 2014, por, më pas, ai u kthye përseri në pistën e akulltë, megjithëse pa fituar ndonjë trofe të rëndësishëm, ndërsa, në shumicën e rasteve, ka qenë i dëmtuar.

sfidanti.al