Feniksi e pëson sërish, këtë herë nga Memfisi i Xha Morantit!

Para pak ditësh ishte skuadra më e mirë e sezonit në NBA, ndërsa tani ka zbritur në vendin e dytë. Feniks Sans pësoi humbjen e dytë, pas asaj në shtëpi ndaj Golden Stejtit, dhe këtë herë “fajtor” ishte ylli i Memfisit, Xha Morant. Ky shënoi 33 pikë në një mbrëmje për t’u mbajtur mend dhe miqtë triumfuan në sekondat e fundit, 114-113. Morant shënoi në fund koshin vendimtar, ndërsa 5 sekonda para sirenës, Devin Buker i kishte dhënë epërsinë vendasve me një kosh tripikësh. Në aksionin përmbyllës, Morant realizoi kur kishin mbetur vetëm 0.5 sekonda për të arritur një fitore dramatike. Feniksi kishte qenë 18 pikë në humbje, por kishte reaguar, veçse nuk arriti përmbysjen që donte. Buker shënoi 30 pikë, ndërsa Kris Pol pati 13 pikë e 13 asiste. Sansat janë në vendin e dytë në Perëndim me 26 fitore e 7 humbje ndaj 27 fitoreve e 6 humbjeve të Golden Stejtit.

Sfidanti.al