Të papriturën më të madhe në turneun përmbyllës të mjeshtrave në Londër e shkaktoi tenisti belg David Gofin që në tre sete mposhti favoritin e madh për titull. Rozher Federer. Tenisti zviceran, në fakt, zhvilloi një lojë të zbehtë, kështu që, në fund të saj, i dha dorën kundërshtarit më të mirë që doli, për herë të parë, në finale të një turneu të rëndësishëm. Sidoqoftë, Federeri la mbas vetes një vit për t’u mbajtur mend që, sidoqoftë, u mbyll me një humbje zhgënjyese.
“Tenisti që priste mirë mposhti tenistin që i realizonte shërbimet dobët. Kjo ndodhi sot dhe mua më vjen keq për këtë gjë. Të them të drejtën, unë në asnjë moment nuk e ndjeva veten 100 për qind. Kjo mbyllje ishte zhgënjyese për mua, por, nëse kam parasysh atë që kam arritur gjatë këtij vit, unë duhet të jem i kënaqur. Mezi pres që të fillojë sezoni i ri dhe të luaj në Melburn”, deklaroi Federeri mbas humbjes ndaj Gofinit. Sezoni i tanishëm, në fakt, ishte për tenistin nga Bazeli i suksesshëm me dy trofe Grand Slem dhe tre tituj Masters.
Sfidanti.al