Edhe Rafa Nadal bëhet viktimë e mashtrimeve me inteligjencë artificiale

Edhe ish-kampioni spanjoll i tenisit, Rafa Nadal, është bërë viktimë e mashtrimeve digjitale që përdorin inteligjencën artificiale. Ai ka ndarë një mesazh në rrjetet sociale ku paralajmëron ndjekësit e tij për video të rreme që përdorin imazhin dhe zërin e tij për t’i atribuar këshilla dhe sugjerime financiare, të cilat ai nuk i ka dhënë kurrë. “Janë zbuluar video të rreme të krijuara nga inteligjenca artificiale ku më atribuohen mesazhe që nuk janë të miat. Ju lutem bëni kujdes: nuk kam krijuar dhe nuk kam miratuar mesazhe të tilla,” – ka theksuar Nadal. Ai i ka cilësuar këto materiale si “reklamë mashtruese” dhe ka falënderuar ndjekësit për vëmendjen dhe mbështetjen. Me këtë mesazh, 22-herë kampioni i Grand Slam-it i ka vënë në dijeni ndjekësit e tij për rrezikun e mashtrimeve digjitale, të cilat po bëhen gjithnjë e më të sofistikuara falë përdorimit të inteligjencës artificiale. Teknologjia e re lejon krijimin e imazheve, audios dhe videove që imitojnë në mënyrë të përsosur persona realë, duke e bërë gjithnjë e më të vështirë dallimin mes origjinalit dhe manipulimit. Paralajmërimi i Nadalit vjen në një kohë kur edhe personalitete të tjera botërore, si Brad Pitt, Taylor Swift, Rosalía dhe Lamine Yamal, janë bërë pre e mashtrimeve të ngjashme.

sfidanti.al