E pabesueshme nga Marquez; gati të heqe dorë nga paga e 2020

Marc Marquez ishte gati të hiqte dorë nga paga e tij për sezonin 2020 të Botërorit të MotoGP që spanjolli e humbi për shkak të dëmtimit në krah të pësuar në Jerez dhe komplikacioneve të tij. Lajmi ishte publikuar në ditët e fundit në median spanjolle, por që u konfirmua edhe nga vetë agjenti i 8 herë kampionit të botës në motociklizëm.

Lajmi që u publikua fliste se Marquez hiqte dorë nga një pagë që nuk e fitoi në pistë duke qenë se nuk mori pjesë në gara pas aksidentit në GP të Spanjës në Jerez. Gjithcka është e vërtetë; në fakt kontrata e Marquez parashikonte një reduktim të pagës së tij në rast të mungesës së zgjatur të tij nga garat, por katalanasi vendosi të bëjë një hap më shumë, duke i ofruar të gjithë pagën e tij. Është ky një gjest që merr akoma më shumë vlerë në kohët e vështira të pandemisë, ndërkphë që Honda pa Marc Marquez, në 2020 zhvilloi sezonin më të dobët në 40 vjet ku nuk pati asnjë fitore dhe vetëm 2 podiume e 1 pole position.

Por kjo ofertë e Marquez është refuzuar nga skuderia japoneze. Marquez, që në 17 shkurt do të festojë 28 vjetorin e tij të lindjes në vitet e fundit i siguroi Hondës një dominim total në MotoGP me shumë tituj e 56 garash të fituara. Tani pritet të shihet se cfarë do të ndodhë me spanjollin në 2021. Fati i kampionit spanjoll është ende I mbështjellë nga misteri, për momentin ajo që dihet është se zëvendësuesi i tij, ashtu sikurse edhe në 2020 do të jetë Stefan Bradl.

Sfidanti.al