Le ta harrojmë momentin e dobësisë së Novak Gjokoviçit. Dështimi tepër i hershëm në Lojrat Olimpike e në Uimbëlldon, dhe disfata në finalen e US Openit ndaj Vavrinkës, duket se ka kaluar. Serbi, çuditërisht “vetëm” numri 2 në botë, u shfaq tepër në formë fizikisht dhe psikologjikisht në ndeshjen e tretë në grup në Turneun e Mjeshtrave në Londër.
Fitorja e tij ndaj David Gofinit ishte tepër e lehtë, 2-0 me sete, dhe me rezultatin e seteve 6-1 e 6-2. E gjitha kjo në 1 orë e 11 minuta. Nole e kishte siguruar kualifikimin për në gjysmëfinale që pas ndeshjes së dytë, fituar ndaj Millosh Raoniçit, por kjo ishte e ndryshme.
Në grupin tjetër, më i forti është numri 1 i botës, Andi Marrej, dhe serbi besohet se është në formën e duhur për t’u ndeshur me skocezin nga Britania e Madhe. Gjithsesi, le të presim që të dy të arrijnë më parë finalen.