Boksierja kosovare Donjeta Sadiku ka shkëlqyer në turneun ndërkombëtar “Feliks Stamm” të mbajtur në Varshavë, Poloni, duke fituar medaljen e artë në kategorinë deri në 60 kilogramë. Në finalen e madhe, Sadiku mposhti bindshëm britaniken Elise Glynn me rezultat të pastër 5:0, duke dominuar veçanërisht në dy raundet e fundit ku shfaqi forcë fizike, teknikë të lartë dhe përvojë të dukshme në ring. Gjatë rrugëtimit të saj drejt finales, ajo eliminoi fillimisht polaken Aleksandra Jankowiak në çerekfinale dhe më pas italianen Rebecca Nicoli në gjysmëfinale – të dyja me të njëjtin rezultat të qartë 5:0. Ky turne është organizuar nga World Boxing, federata e re e njohur nga Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), dhe ku bën pjesë edhe Federata e Boksit e Kosovës. Pas pjesëmarrjes në dy Olimpiada, Donjeta Sadiku synon të arrijë sukses edhe më të madh në Lojërat Olimpike “Los Angeles 2028”, ku synon një medalje olimpike. Ndërkohë, vëllezërit Shpëtim dhe Bashkim Bajoku, që po ashtu përfaqësuan Kosovën, u eliminuan në raundin e parë të këtij turneu.
sfidanti.al