Zgjedhja e Donald Trampit si president i SHBA-së u quajt si një tërmet në shkallë botërore. Ekonomia së bashku me bursat, por edhe politika në kryeqytetet kryesore e ndjenë lëkundjen, veçse nuk mbetet jashtë edhe sporti. Në një nga disiplinat më të pasura dhe më solide, Formula 1, ndikimi është i menjëhershëm. Për shkak të Trampit, apo të komenteve për të, piloti i Fors Indias, Sergio Perez, ndërpreu në formë proteste bashkëpunimin me një nga sponsorët e tij.
Piloti meksikan u revoltua shumë nga një mesazh i postuar në Tuiter nga kompania amerikane e prodhimit të syzeve, “Houkers”. Kompania kishte komentuar që “meksikanët duhet të blejnë syzet tona për të mbuluart lotët që do t’u dalin nga sytë nga zgjedhja e Donald Trampit si president”. Aludimi ishte i qartë, pasi Tramp ka qenë kundër Meksikës në fushatë, duke deklaruar se do të ndërtojë një mur në kufirin jugor amerikan për të ndalur emigrantët e paligjshëm që kalojnë për në SHBA, madje do të jetë Meksika që do të paguajë për këtë mur.
“Nuk pranoj më që, kompania “Houkers” të jetë sponsori im, – ka deklaruar piloti meksikan, Perez, – nuk do të lejoj askënd që të tallet me vendin tim”. Ndërkaq, yje të shumë të sportit kanë qenë kundër Trampit, përfshi edhe trajnerin e Golden Stejtit, Stiv Kerr, dhe kampionin e NBA-së, Lebron Xhejms.
B. Kuka