Djokovic: Po bëhet gjithnjë e më e pamundur të mposht Sinner dhe Alcaraz

Italiani Jannik Sinner dhe spanjolli Carlos Alcaraz, respektivisht numrat 1 dhe 2 në botë, kanë fituar 7 grand slam-et e fundit, duke mos u lënë asnjë shpresë tenistëve të tjerë. Përfshi edhe Novak Djokovic, tenistit me më shumë trofe të tillë në karrierë, 24. Serbi u eliminua në gjysmëfinalet e “Wimbledon” pikërisht nga Sinner, fituesi i këtij turneu.

“Të luash të tilla ndeshje po bëhet gjithnjë e më e vështirë. Kam arritur në gjysmëfinalet e çdo grand slam, por pastaj e gjej veten përballë Sinner ose Alcaraz dhe po bëhet e pamundur t’i mund”, tha Djokovic. “Duhet ta pranoj realitetin. Shpresoj që kjo të mos jetë ndeshja ime e fundit në ‘Wimbledon’. Nuk kam ndërmend ta përfundoj karrierën time në këtë turne. Nuk e di se cili është plani im për vitin e ardhshëm.

Do të bëj gjithçka që mundem për të qëndruar në formë fizike dhe për t’i dhënë vetes një shans”, shtoi serbi. “Dua të fitoj një tjetër grand slam, turnetë që më interesojnë më shumë në këtë fazë të karrierës sime. Sinqerisht nuk e di se çfarë mund të bëja më mirë se ajo që po bëj tani; nuk mendoj se dikush kujdeset më mirë për trupin e tij se unë. Kam pasur një karrierë të jashtëzakonshme, por do të përpiqem të jap gjithçka me atë që ka mbetur”, deklaroi Djokovic.

sfidanti.al