Ç’po ndodh me fenomenin Bajls që nuk ia mban të garojë në Tokio?!

Talenti i saj është i padiskutueshëm, dhe në një nivel me legjendat e së kaluarës në gjimnastikë si Latinina, Komaneçi, Sabo apo Shushunova. Simonë Bajls është legjenda e gjallë e këtij sporti, por pas gabimit në garën ekipore, që u fitua nga Rusia, vajza 24-vjeçare amerikane nuk është më ajo e para. Ajo u tërhoq nga gara e përgjithshme individuale, dhe po ashtu deklaroi tërheqjen nga paralelja e shkallëzuar dhe nga kaluçi. Ekziston mundësia që ajo të konkurrojë në traun e ekuilibrit dhe në ushtrimet e lira në tapet.

Ç’po ndodh me Simonën? Ajo thotë se “ndihem sikur jam në ajër”, “kam humbur sigurinë” dhe “nuk po koordinoj dot veprimet e trupit me ato të mendjes”. Kjo ndodh kur gjimnasti apo gjimnastja pëson një goditje psikologjike zakonisht pas një gabimi. Normalisht, gjimnastet i mësojnë në memorie ushtrimet e tyre, dhe ato i kryejnë me instinkt, jo duke menduar. Në momentin, ku hyn dyshimi, sportistja nis të mendojë kur thjesht duhet të veprojë sipas automatizmit të mësuar në stërvitje, por këto mendime dhe dyshime e pengojnë. Të shohim nëse Bajls do të arrijë ta kalojë këtë moment të vështirë në Tokio.

Sfidanti.al