CEO-ja i McLaren-it: F1 është më mirë pa Christian Horner

Zak Brown, CEO-ja i McLaren-it, ka komentuar largimin e Christian Horner nga drejtimi i Red Bullit, duke e cilësuar si një ndryshim pozitiv për Formula 1. Sipas tij, Horner “e kishte kaluar kufirin” në aspektin politik të garave, ndërsa me Laurent Mekies në krye të skuderisë austriake, gjërat janë më të balancuara.

Horner, që drejtoi Red Bullin për rreth 20 vjet, u largua kohët e fundit nga posti i tij, duke lënë vendin për Mekies. Ky ndryshim është pritur me entuziazëm në paddock. Max Verstappen ka thënë se tani ndihet më mirë me drejtuesin e ri, ndërsa Toto Wolff ka ironizuar mbi prirjen e Horner-it për të krijuar komplikime politike.

Për Brown, ky është një hap përpara për sportin: “Jam i lumtur që Laurent ka marrë këtë rol. Është një person që e respektoj dhe besoj se ky ndryshim do të jetë i mirë për sportin. Do të mund të fokusohemi më shumë në garat në pistë dhe më pak në polemikat jashtë saj”.

Edhe pse pranon se “politika do të ekzistojë gjithmonë në Formula 1”, shefi i McLaren beson se me Mekies ato do të menaxhohen në një mënyrë më të shëndetshme. Sipas tij, gjatë drejtimit të Horner, aspekti politik shpesh merrte përmasa të tepërta: “Gjithmonë ka tema si fleksibiliteti i krahëve të pasmë apo rregulla të ngjashme. Por kur fillon të bësh akuza të kota, kjo e kalon kufirin”.

Brown shton se, pas largimit të Horner, ambienti në paddock është bërë më i këndshëm dhe ka më shumë besim mes ekipeve: “Tani kemi një nivel më të madh besimi se kur diskutojmë çështje konfidenciale, ato nuk do të përdoren menjëherë si armë politike. Mendoj se jemi në një situatë më të mirë pa të, ka më shumë unitet dhe besim reciprok”.

Me këtë atmosferë të re, McLaren është i fokusuar plotësisht në objektivat sportivë, duke synuar të dy titujt, për konstruktorë dhe pilotë, pa pasur pengesa nga jashtë pistës.

sfidanti.al