Antetokumbo mbetet “monstër”, Miluoki dominon Oklahomën dhe basketbollin amerikan!

Fitorja ishte tepër e lehtë, një tjetër provë bindëse. Miluoki Baks vërtet dështoi vjet në tentativën për të fituar titullin, por këtë sezon duket se nuk do të ketë pengesa. Me një Janis Antetokumbo në formë të tillë, dhe me një skuadër me talent e përvojë, ekipi verilindor amerikan dominoi edhe Oklahomën dhe vazhdon marshimin në krye të renditjes së NBA-së. Shifrat ishin 133-86, pra gati 40 pikë diferencë, edhe pse Antetokumbo u mbajt në fushë më pak se 30 minuta.

Në vetëm 27 minuta, ai realizoi 32 pikë, si dhe kapi 13 topa në tabela e shërbeu 6 asistë, duke qenë mjaft i saktë në gjuajtje, madje edhe në ato për tri pikë. Jo më kot, mori një vlerësim prej +44 pikësh, një nga më të lartët që mund të jepen në basketbollin amerikan. Të dyja skuadrat ishin pa shënuesit e dytë më të mirë, Miluokit i mungoi Kris Midëllton për një dëmtim, dhe po ashtu lëndim pati ylli italian i Oklahomës, Danilo Galinari. Miqtë e ndjenë shumë këtë mungesë, dhe bënë shumë pak me vetëm Kris Polin që u dallua me 18 pikë.

Miluoki, ndërkaq, pati alternativa të tjera si Metjusin, Hillin apo Robin Lopezin, edhe pse dy nga lojtarët kryesorë, Bruk Lopez dhe Erik Bledsou nuk ishin shumë mirë. Gjithsesi, numri 1 ishte si gjithnjë Antetokumbo që pritet të fitojë sërish çmimin e Lojtarit më të mirë të sezonit, siç bëri vjet. Miluoki kryeson Konferencën Lindore me 51 fitore e vetëm 8 humbje, duke qenë skuadra më e mirë se sezonit të rregullt në NBA deri tani.

Sfidanti.al