Aksidenti i frikshëm mes Hamilton dhe Verstappen

Para tre vitesh, Lewis Hamilton dhe Max Verstappen ishin autorë të një beteje të ashpër dhe shpeshherë jashtë limiteve në duelin për titullin kampion, që në fund u fitua nga holandezi. 26-vjeçari, në një intervistë të fundit, kujton edhe njëherë tjetër një nga aksidentet më të frikshme që ka përjetuar. Në pistën e Silverstone në vitin 2021, pas një kontakti me Hamilton në kthesë, Verstappen përfundon jashtë piste me 280 km në orë dhe përplaset pas gomave që shërbenin si barrierë. Holandezi, u dërgua në spital, por për fat shpëtoi pa pasoja të mëdha. Edhe pse për herë të parë, zbulon se atë aksident e vuajti për shumë kohë më pas, duke qenë se shikimi dhe vizioni në pistë nuk ishte i qartë si më parë. “Shumë njerëz nuk e dinë këtë, por pas atij aksidenti për një periudhë të gjatë kisha probleme me shikimin dhe vizionin në pistë. Më dukej sikur pista lëvizte dhe kjo më ndodhte kur unë po dueloja me Hamilton. Dukej sikur isha duke lundruar me 300 km në orë. Pra, përveç duelit me Hamilton, kisha edhe një tjetër luftë me veten. M’u desh të kontrolloja frymëmarrjen pasi agjë nuk funksiononte siç duhej. Në shumë gara mendoja të hiqja dorë, të hapja krahun dhe ta lija aty makinën sepse nuk shihja qartë. Kjo më ndodhte më së shumti në pistat të cilat kishin shumë gunga apo tabela reklamash. Këto nuk ia kam thënë askujt pasi isha në garë për titullin botëror, prandaj për mua ai sukses është shumë i veçantë.

sfidanti.al