Aksi Shkodër-Vlorë, por degjenerimi në kampionatin e boksit nuk ndryshon!

U mendua se këto skena nuk do të përsëriteshin. Boksi shqiptar, ashtu si edhe sporte të tjera, kanë vuajtur nga padrejtësitë dhe nga dhuna edhe në të kaluarën, ashtu siç ndodhi vjet në kampionatin kombëtar të zhvilluar në Shkodër, por as zhvendosja e turneut në Vlorë nuk ndihmoi. Sërish përplasje për gjykimin dhe braktisje e kampionatit nga tre ekipe ndër më kryesorët. Tirana, Teuta dhe Studenti nuk morën pjesë në ditën e fundit, kur u luajtën finalet për titull, duke u kthyer në shtëpi. Një goditje e rëndë për nivelin dhe për besueshmërinë e kampionatit, ndërsa presidenti Florend Kalivopulli e vlerëson turneun me notë të ulët. Kampion u shpall ekipi i Flamurtarit me 8 fitues, dhe mori titullin pas 15 viteve, me Vllazninë të dytën dhe Apoloninë të tretën. Boksieri më i mirë i kampionatit u shpall Krenar Zeneli i Flamurtarit, ndërsa me nivelin më të lartë teknik, vlonjati tjetër Ani Haxhillari.

Sfidanti.al