Liga Unike në basketboll, 25 000 euro shpërblim për 4 finalistët!

Do të luftohet për titullin e dytë. Në datat 20 e 21 prill do të mbahet plej ofi i Ligës Unike në basketboll për meshkuj, dhe organizatorët kanë njoftuar për shpërblimin financiar të ekipeve pjesëmarrëse. Në një njoftim në faqen zyrtare në FB, Liga informon se shuma e përgjithshme e shpërblimit do të jetë 25 000 euro, nga të cilat 9 000 euro do të jepen për ekipin kampion, 5 000 për finalistin, dhe nga 3 000 euro do të marrin dy skuadrat e tjera që do të eliminohen në gjysmëfinale. Turneu që përcakton edhe fituesin do të jetë në Pejë, dhe kjo është hera e parë që kjo ndodh në Kosovë. Tre nga skuadrat finaliste janë pikërisht nga Kosova, Golden Igëll Ylli nga Theranda, Peja e Prizreni, ndërsa nga Shqipëria është vetëm Teuta e Durrësit. Ndeshjet gjysmëfinale do të jenë mes Golden Igëll Yllit e Teutës në orën 17:00 të 20 prilli, si dhe mes Pejës vendase e Prizrenit në orën 20:30 të po asaj dite. Në 21 prill do të jetë ndeshja për vendin e tretë dhe finalja për titullin. Kampione në fuqi e Ligës Unike është skuadra e Golden Igëll Yllit.

Sfidanti.al