Ashtu si në futboll, është koha e emigrantëve. Tenisi nuk bën përjashtim dhe sporti profesionist po dominohet çdo ditë e më qartë nga ata që janë gati të sakrifikojnë më shumë. Shembullin më të mirë e kemi në US Open, në Grand Slemin e fundit të vitit, ku dy pinjollë të emigracionit po shkëlqejnë në moshë fare të re. Njëra është shpresa e re e tenisit britanik, Ema Radukanu, një adoleshente 18-vjeçare që arriti çerekfinalet në Nju Jork. Radukanu është bijë e një babai rumun dhe një nëne kineze, të emigruar në Kanada, ndërsa tani e ka vendbanimin në Britaninë e Madhe. Ajo mundi idhullin vendas, amerikanen Shelbi Roxhers madje fare lehtë, 2-0, dhe me rezultatin e seteve 6-2 e 6-1.
“Ishte e vështirë dhe isha shumë e nervozuar, – tha Ema pas fitores, – jam krenare që arrita ta përballoj presionin në arenën më të madhe në botë siç është “Arthër Ejsh”. Unë kam marrë zemër nga fitoret e dy të rinjve të tjerë si Fernandes dhe Alkaraz”.
Siç e përmendi Radukanu, në çerekfinale në US Open janë edhe dy adoleshentë të tjerë, Lejla Fernandez dhe Karlos Alkaraz. Fernandez është vërtet kanadeze, por prindërit e saj janë emigrantë nga Ekuadori dhe Filipinet. Ajo mundi 2-1 favoriten gjermane, Anzhelikë Kerber, pas një beteje të ashpër, por nuk pritej të ishte ndryshe përballë një tenisteje që ka fituar Australian Openin, Uimbëlldonin dhe US Openin.
Alkaraz është spanjoll dhe po mbiquhet “Nadali i ri”, duke u cilësuar si pasardhës i legjendës së tenisit, që mungon këtë herë në Nju Jork. Ai e arriti fitoren e fundit ndaj gjermanit me origjinë polake, Gojovçik, pas një sfide të vështirë me 5 sete, por duke i dominuar plotësisht setet që fitoi. Gjatë rrugës për në çerekfinale, Alkaraz eleminoi britanikun Norri, francezin Rinderkneh dhe grekun e fortë Cicipas.
Sfidanti.al