Teksti K.Panuçi, muzika A. Krasta, kënga “Mos thuaj se Duka është njeri i mirë”

Futbolli ka gjetur mënyrën për t’u futur pa leje në festivalin e 56-të, madje ka shkuar edhe më larg se pretendimi i jurisë. Për njerëzit e topit nuk është fituese kënga “Mall” , por një tjetër, tejet spontane dhe plotësisht befasuese. Hapet zarfi jonë dhe zbulohet sekreti: Teksti Kristian  Panuçi, Muzika Adi Krasta dhe kënga fituese shpallet “ Mos më thuaj se Armando Duka, president i futbollit, është njeri i mirë..” Një “këngë” që u fut vjedhurazi në konkurrim, ashtu siç di  të bëjë marifete vetëm futbolli ynë, edhe kur flet gjuhën e dytë..italishten   kuqezi.

Si lindi “kënga” që vodhi Festivalin? Kur trajneri Panuçi i ftuar në skenën e madhe të muzikës është pyetur për efektet e Shqipërisë nga prezantuesi Adi Krasta, trajneri ka zbuluar se bukurinë më të madhe shqiptare, ndryshe nga të huajt e tjerë, që e gjenin tek natyra apo në zakonet tona, e ka pikasur tek Zyrat e Federatës, tamam tamam tek presidenti Armando Duka. Një shije italiane, jo krejt e panjohur, ngaqë na e kishte qerasur edhe De Biazi para se të ikte. Por, driblimi i shkathët i prezantuesit Adi Krasta me pyetjen që vlejti sa një gol, u prit me ovacione : “Mos më thuaj se, presidenti Armando Duka është edhe njeri i mirë..”

Pas afro 16 vitesh në fron, mu në prag të “Festivalit të Futbollit”, Asamblesë që po rrit lepurin më të madh të frikës deri në mars, presidenti Duka ka marrë një kartolinë plot helm nga një skenë, ku më shumë kishte shpresuar t’i këndohej për “bëmën heroike” të Europianit, sesa të rrëzohej publikisht,  madje edhe me tinguj muzike, nga froni i njeriut të mirë!  Një trofe moral që nuk e mori e nuk e mori dot nga populli i tij “mosmirenjohes” i futbollit. Pale të kujtosh blasfeminë popullore ndaj presidentit, tamam në ditën më të dehur kuqezi, kthimin “pushtues” nga Armenia,  kur u ngjit në skenë si magjistar, mu për ters, prapë pranë tempullit të muzikës Pallatit të Kongreseve,  kur ishte gati t’i thonte popullit kuqezi  se ..unë iu solla Europianin, nga ju kërkoj vetëm zemrat dhe bekimin e ..njeriut të mire!

 

G.Sinemati